
Demokracia në Veprim ka thënë se vonesat në numërimin e votave të kandidatëve janë të papranueshme dhe sipas tyre kështu dëmtohet besimi në procesin zgjedhor.
DnV shton se procesi i numërimit të votave për kandidatë do duhej të fillonte dje.
“Sipas legjislacionit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve. Procesi i numërimit të votave për kandidatët duhej të kishte filluar dje, të hënën në orën 08:00 të mëngjesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN). Megjithatë, për shkak të atyre që KQZ-ja i konsideron “probleme teknike dhe administrative”, ky proces ende nuk ka nisur deri në këtë moment. Vetëm sot, KQZ ka njoftuar se procesi do të fillojë në orën 16:00, por vetëm në katër komuna. Ky veprim është një improvizim që krijon përshtypjen se situata është nën kontroll, kur në fakt realiteti është ndryshe.”
DnV ka kërkuar nga KQZ të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit dhe pranimit të fletëvotimeve nga jashtë përmes postës.



