LajmeMaqedoniTopLajm

PRESIONI I SHTUAR NDAJ KËSHILLIT GJYQËSOR! Interpelancat pritet të shqyrtohen në mars

Një seancë për shqyrtimin e interpelancave pritet të mbahet deri ose në fillim të marsit. Duke pasur parasysh se kërkesat për interpelancë janë firmosur nga 67 deputetë, rezultati është i parashikueshëm, por megjithatë kjo nuk do të thotë se Dameva, Mustafa, Çaçarova-Ilievska, Crvenkovska dhe Ademi do të largohen nga këto funksione.

Këshilli Gjyqësor vazhdon të përballet me presione të shtuara politike kundrejt tyre, ndërsa synimi është t’i detyrojnë të ofrojnë dorëheqje pesë anëtarë të këtij këshilli të zgjedhur nga Parlamenti. Anëtarët e Këshillit Gjyqësor kanë afat prej 10 ditësh për të dhënë përgjigjen e tyre pasi të premten deputetët e shumicës në Parlament dorëzuan interpelancë për punën e tyre. Sipas Rregullores, pas dorëzimit të interpelancave individuale për anëtarët e Këshillit Gjyqësor (Vesna Dameva, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska, Pavlina Crvenkovska dhe Selim Ademi), kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, duhet t’ua dorëzojë atyre dhe brenda dhjetë ditësh të marrë përgjigje nëse do të deklarohen për pretendimet e përfshira. Vetëm pasi të kalojë ky afat, pavarësisht nëse anëtarët e Këshillit, të cilët janë zgjedhur nga Parlamenti do të duan të shprehin qëndrimin e tyre apo jo, Gashi do të mund ta caktojë seancën ku do të diskutohet për interpelancën.

Sipas këtyre afateve, pritet që një seancë për shqyrtimin e interpelancave të mbahet deri ose në fillim të marsit. Duke pasur parasysh se kërkesa për interpelancë është firmosur nga 67 deputetë, rezultati është i parashikueshëm, por megjithatë kjo nuk do të thotë se Dameva, Mustafa, Çaçarova-Ilievska, Crvenkovska dhe Ademi do të largohen nga këto funksione. Gashi pritet të mbajë një takim koordinues të rregullt me drejtuesit e grupeve parlamentare në Parlament, pas së cilës mund të dihet se kur do të mbahet kjo seancë, por edhe çfarë tjetër mund të përfshihet në seancën e planifikuar për 12 shkurt. Deri tani, në këtë seancë të 34-të plenare, në rendin e ditës janë vetëm 12 pika.

Kryetari i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari u shpreh se si VLEN e mbështesin interpelancën për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, me vet faktin se besueshmëria e qytetarëve në sistemin gjyqësor është shumë e ulët. “Përderisa ke besueshmëri në gjykata në nivel prej 2-3%, nënkuptohet automatikisht se ne kemi nevojë për reforma në gjykatë dhe prokurori. Pa i bërë ndryshimet në Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin e Prokurorëve, unë mendojë se nuk mund të bëhen reforma”, tha Taravari, ndërsa shtoi se çdo problem në sistemin gjykatave buron nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, ndaj sipas tij, pa ndryshuar anëtarët në këto këshilla, vështirë se mund të arrihen rezultate në reformat në sistemin e drejtësisë.

Ndërkohë, kryetarja e Këshillit të Prokurorëve Publik, Dushica Dimitrievska refuzoi të jep një koment sa i përket çështjes së shkarkimit të Këshillit Gjyqësor. E pyetur në lidhje me qëndrimin e saj për sa i përket interpelancës së ngritur nga shumica parlamentare për anëtarët e Këshillit Gjyqësor, Dimitrievska tha se “nuk mundet të prononcohet në atë pjesë, pasi nuk është në domenin e këshillit”.

Përndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski dje, në një deklaratë për mediat, tha se nuk ka asnjë mënyrë që Këshilli Gjyqësor të shkarkohet me forcë, as anëtarët e tij që janë zgjedhur nga Parlamenti dhe për të cilët është dorëzuar interpelancë. “Ata mund të mos japin dorëheqje edhe përkundër votimit të mosbesimit. Megjithatë, lufta për ndryshime në sistemin gjyqësor do të bëhet me presion publik”, tha Mickoski. Ai rikujtoi se Parlamenti nuk e ka aprovuar Raportin mbi punën e Këshillit Gjyqësor dhe se tani është logjike që deputetët të paraqesin interpelancë për anëtarët e Këshillit Gjyqësor që ata vetë i kanë zgjedhur. “Por, do ta përsëris, kjo nuk do të thotë se u përfundon mandati këtyre anëtarëve. Megjithatë, ata mund të thonë se nuk japim dorëheqje dhe do të vazhdojmë ta drejtojmë gjyqësorin me një besim prej vetëm dy për qind te qytetarët. Kushtimisht thënë, ligji është i tillë – i paqartë, dhe një gjë e tillë mund të ndodhë”, ka thënë Mickoski.

Në interpelancat e dorëzuara për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor drejtuar kryetarit të Parlamentit, Afrim Gashi, theksohet se ato paraqiten për shkak të zbatimit të pasaktë të kompetencave, veçanërisht për shkak të neglizhencës, pra dëmtimit të reputacionit të gjyqtarëve dhe rrezikimit e cenimit të besimit të qytetarëve ndaj gjyqësorit, dhe me këtë edhe ndaj të gjithë sistemit të drejtësisë, pra gjyqësorit në tërësi.

Related Articles

Back to top button
Close
Close