
Bashkimi Europian e përshëndeti mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë në një atmosferë të qetë, ndërsa procesi duket ka qenë përgjithësisht i rregullt, me qytetarët që patën mundësinë të shprehin lirisht vullnetin e tyre.
Zëdhënësja e bllokut për politikën e jashtme dhe sigurinë, Anitta Hipper, sqaroi se misioni vëzhguar i BE-së i vendosur në Kosovë, është formuar me vendimin e shefes së diplomacisë, Kaja Kallas.
Pikërisht, vendimin për dërgimin e këtij misioni për të vëzhguar nga afër zgjedhjet në Kosovë, Hipper e përshkroi si dëshmi të faktit që Brukseli i sheh raportet me Kosovën si shumë të rëndësishme, e kjo pavarësisht masave ndëshkuese të vendosura prej një viti.
Pas dështimit të softuerit për shfaqjen e rezultateve, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkoi që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë. Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta që Kosova ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë. Pjsemarrja ishte 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë.
Paraprakisht, për këto zgjedhje votoi edhe diaspora, përmes postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë. Në garë ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur për përbërjen e re prej 120 vendesh të Kuvendit të Kosovës, i cili më pas do të zgjedhë ekzekutivin e ri.



