
Për kryeministrin Hristijan Mickoski është e paarsyeshme që anëtarët e Këshillit Gjyqësor, të cilët janë të zgjedhur nga Kuvendi, nuk mund të shkarkohen, veçanërisht kur raportet për punën e tyre janë negative. Ai shtoi se, përveç kritikave, duhen marrë masa konkrete për përmirësimin e sistemit, pasi qytetarët presin veprime të qarta dhe të menjëhershme.
“Kjo do të jetë një nga masat që do të marrim në luftën për të përmirësuar funksionimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në vend, sepse do të jeni të gjithë dakord. Ky është një nivel jashtëzakonisht i ulët prej 2%. Tani, nëse ulemi mënjanë dhe vetëm kritikojmë në publik dhe nuk bëjmë asgjë, atëherë kemi tradhtuar besimin e qytetarëve, qytetarët presin veprime nga ne. Është e paligjshme që personi që i zgjedh të mos mund t’i tërheqë, sidomos në rrethana kur nuk pranon raportin e tyre të performancës, ndaj shohim të gjitha këto mundësi ligjore. Natyrisht, ne si Qeveri nuk do të bëjmë asgjë që është në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën”, thotë kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, para disa ditëve kishte bërë thirrje për një vendim kolektiv lidhur me shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, duke theksuar se çdo veprim duhet të bazohet në ligjshmëri dhe të respektojë Kushtetutën. Kambovski ka theksuar se gjyqësori është vazhdimisht i ekspozuar ndaj presionit të qeverisë, duke përmendur dorëheqjen e ish-kryetares së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, e cila e justifikoi vendimin e saj me akuza për presion dhe mungesë mbështetjeje për reforma.
Kritikat ndaj Këshillit Gjyqësor janë theksuar pas një raporti negativ që është paraqitur në Kuvend, i cili ka hapur diskutime mbi mundësinë e shkarkimit të anëtarëve të tij. Kryeparlamentari Afrim Gashi ka sugjeruar se do të kërkohen konsultime me Gjykatën Kushtetuese për të shqyrtuar ligjshmërinë e mundësisë për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nga Kuvendi. Procedura për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor është e rregulluar në Rregulloren e Punës, dhe do të vijojë në të njëjtën mënyrë siç janë emëruar ata.



