
Presidenti i sapozgjedhur koreanojugor Jun Suk Jeol sot është arrestuar për shkak se për një kohë të shkurtër ka vendosur gjendje lufte në dhjetor, njofton agjencia zyrtare e lajmeve Jonhap.
Policët dhe personeli nga zyra për luftë kundër korrupsionit të Koresë së Jugut këtë mëngjes e kanë shoqëruar Jun në rezidencën e tij për ta çuar deri te zyra e prokurorit publik në tentativën e tyre të dytë që ta bëjnë këtë, informoi Jonhap.
Operacioni u shfaq i qetë pavarësisht shqetësimeve serioze të sigurisë, transmetoi DPA.
Jonhap e ka cituar Zyrën për hetime të korrupsionit për zyrtarët e lartë (CIO), e cila ka njoftuar se urdhri i ndalimit është ekzekutuar në orën 10:33 të mëngjesit (01:33 GMT).
Kjo është hera e parë në historinë e vendit që një president në detyrë i Koresë së Jugut të arrestohet.
Jun u pa duke hyrë në selinë e CIO për t’u marrë në pyetje. Sipas Jonhap, hetuesit do të kërkojnë një urdhër arresti zyrtar për presidentin brenda 48 orëve.
“Megjithëse ky është një hetim i paligjshëm, unë kam vendosur të pranoj të paraqitem para CIO-së për të parandaluar gjakderdhjen e shëmtuar”, deklaroi Jun në një video-mesazh të regjistruar të lëshuar pas arrestimit të tij.
Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut shtyu dje seancën e parë në procedurën e shkarkimit të Jun, 64 vjeç, për shkak se ai nuk ishte i pranishëm. Ai përmes avokatit të tij ka deklaruar se nuk ka marrë pjesë për arsye sigurie.
Më 3 dhjetor, Jun shpalli për një kohë të shkurtër gjendjen ushtarake gjatë një mosmarrëveshjeje buxhetore me opozitën.
Në mesin e dhjetorit, ligjvënësit e larguan atë nga detyra deri në njoftimin e mëtejshëm me akuzën e shpërdorimit të pushtetit dhe rebelimit dhe Gjykata Kushtetuese aktualisht po shqyrton vendimin.
Jun mbrojti vendimin e tij duke thënë se ai shpalli ligjin ushtarak për të mbrojtur kombin nga “forcat anti-shtetërore” që do të thotë kundërshtarët e tij politikë.
Për momentin, punët shtetërore drejtohen nga ish-ministri i Financave dhe zëvendëskryeministri Çoi Sang-mok.



