
Lidhja e Sindikatave vlerëson se është për t’u përshëndetur fakti që punëdhënësit e kuptuan nevojën për rritjen e pagës minimale në 500 euro ose 31 500 denarë. Sipas kryetarit të Lidhjes së Sindikatave, Sllobodan Trendafillov në këtë mënyrë bizneset do t’i mbajnë punëtorët në vend.
“Është mirë që edhe punëdhënësit e kanë kuptuar nevojën për rritjen e pagës minimale dhe sot edhe ata propozojnë rritjen e saj, me qëllim që t’i mbajnë punëtorët e kualifikuar dhe të punësohen punëtorë të rinj. Lidhja e sindikatave të Maqedonisë menjëherë ua jep dorën për rritjen e pagës minimale në më së paku 500 euro, aq sa edhe vetë propozojnë”, tha Sllobodan Trendafillov, kryetar i Lidhjes së Sindikatave.
Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Mendi Qyra, paraprakisht pati deklaruar se kushti i vetëm që e kanë punëdhënësit është që Qeveria të mos i rris kontributet. Pra, edhe nëse paga minimale rritet në 500 euro, kontributet të mbesin të njëjta. Qeveria nuk e precizoi nëse do të pranohet ose jo kjo kërkesë, por tha se lidhur me këtë çështje është formuar këshilli ekonomiko social, ku do të trajtohen të gjitha kërkesat e palëve të përfshira.



