
Pas Hungarisë, nga sot Polonia mori kryesimin me BE-në. Nën moton “Siguri, Europë”, Varshava planifikon t’i përkushtohet shtatë dimensioneve të konceptit për siguri më të madhe të Unionit.
Polonia do të jetë e fokusuar në përforcimin e sigurisë së jashtme, të brendshme, kibernetike, ekonomike, energjetike, ushqimore dhe shëndetësore të BE-së dhe qytetarëve të saj.
Gjatë prezantimit të prioriteteve të kryesimit polak, kryeministri Donald Tusk, tha se Varshava do të punojë në këto 7 sfera të sigurisë në periudhë sfidash për BE-në lidhur me “krizat në Ukrainë dhe Lindja e Mesme dhe zhvillimet në Gjeorgji”. Prandaj, Varshava do të fokusohet në maksimizimin e mbështetjes për Ukrainën, ruajtjen e politikave aktuale të BE-së ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë dhe përforcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së Bashkimit dhe partnerëve të tij.



