
Rregullorja e BQK-së që përcakton euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme ka treguar efekte pozitive qëkur ka hyrë në fuqi, 10 muaj më parë, ka vlerësuar guvernatori i Bankës Qendrore, Ahmet Ismaili. Sipas guvernatorit, rregullorja ka ndikuar edhe në ndërprerjen e financimeve të paligjshme
Në një konferencë përmbyllëse të vitit, ai është shprehur se përmes kësaj rregulloreje është mundësuar edhe ndërprerja e financimeve të paligjshme.
“Rregullorja është në fuqi, i ka krijuar efektet e veta pozitive për krejt sektorin. Besoj që i kemi përafruar vlerësimet e ardhshme të pritshme sa i përket Kosovës, të mos harrojmë se me anëtarësim në Këshill të Evropës do t’i nënshtrohemi vlerësimit të moneywal-it, i cili është një vlerësim që i vendos shtetet në lista të zezë ose jo. Dhe unifikimi i sektorit dhe ndërprerja e financimeve të paligjshme ka kontribuar dukshëm, substancialisht në këtë drejtim”, ka thënë ai.
E kreditë sivjet janë rritur për 15.7 për qind, duke kapur vlerën e 5.7 miliardë eurove.
“Kreditë janë rritur më shpejt sesa depozitat, më shumë se depozitat me përqindje rritjeje që i bie që bankat kanë vazhduar të jenë më ‘dorë shlirë’ në kuptimin e kreditimit. Gjithsej depozitat në nëntor të këtij viti kanë arritur në 6.586 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 448.5 milionë eurosh ose 7.3 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2023. Kjo rritje i atribuohet rritjes së normave të interesit në depozita dhe konkurrenca më intensive midis bankave për tërheqje të depozituesve”, ka thënë Ismaili.
Ismaili ka thënë se norma mesatare e interesit për kredi në nëntor të këtij viti ishte 6.02 për qind, teksa në dhjetor të vitit të shkuar mesatarja ishte 6.35 për qind.



