
Reagim i Degës së Aleancës për Shqiptarët në Strugë ndaj informatave të pavërteta
Dega e Aleancës për Shqiptarët në Strugë ka reaguar ndaj informacionit të publikuar në disa portale lokale, sipas të cilit dy këshilltarë të kësaj partie kanë votuar pro buxhetit të Komunës së Strugës për vitin 2025, të propozuar nga kryetari Ramiz Merko.
Në deklaratën zyrtare, thuhet se këshilltarët Safet Demiralieski dhe Asim Saitoski, të cilët votuan pro buxhetit, aktualisht janë pjesë e grupacionit të drejtuar nga Arben Taravari dhe nuk përfaqësojnë më Aleancën për Shqiptarët. Partia e cilëson këtë si një bashkëpunim të fshehtë mes grupacionit të Taravarit dhe kryetarit të komunës, të cilin ata vazhdimisht e kanë akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar.
Dega e Aleancës për Shqiptarët thekson se opozita reale në Strugë vazhdon të jetë kjo parti dhe i sugjeron deputetit Bekim Qoku që ta kërkojë burimin e korrupsionit tek këshilltarët e grupacionit të Taravarit, jo tek ata që mbrojnë interesat e qytetarëve.
Në fund, deklarata rithekson angazhimin e Aleancës për Shqiptarët për të mbrojtur interesin publik dhe fton të gjithë të ndjekin një diskurs politik më të hapur dhe transparent.



