
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka deklaruar se është e shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe ka kërkuar që ligji të zbatohet në mënyrë të barabartë.
E po ashtu, që procesi zgjedhor të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe. Veprimet e KQZ-së rreptësishtë duhet të kufizohen në zbatimin e standardeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit”.
“Ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e hapur e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së dërguar mediave në Prishtinë.
Teksa kanë bërë thirrje tek palët që kanë probleme me KQZ-në që të ankohen tek Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
“Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që kanë probleme me proceset e KQZ-së që të shfrytëzojë mekanizmat institucionalë në fuqi, përkatësisht Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”.
“Të gjithë kandidatët që kualifikohen duhet të lejohen të garojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me ligjin kosovar. Është thelbësore që votuesit e jo organet politike, të vendosin se kush i përfaqëson ata”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të cilat janë caktuar të mbahen më 9 shkurt 2025.
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet kanë kundërshtuar certifikimin e kësaj partie nën argumentin se ajo është kundër shtetit të Kosovës.
Disa prej arsyeve për moscertifikimin e forcës kryesore politike të serbëve janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të saj, Zllatan Ellek, gjatë prezantimit të listës së kandidatëve për zgjedhjet e shkurtit, krahas mirëmbajtjes së kontakteve me terroristin serb, Millan Radoiçiç, i cili kërkohet nga organet e drejtësisë në Kosovë.



