
Kina njoftoi të martën një lehtësim të politikës së tranzitit pa viza, duke zgjatur qëndrimin e lejuar për udhëtarët e huaj nga 72 dhe 144 orë në 240 orë, ose 10 ditë.
Gjithashtu 21 porte të tjera do të shtohen për udhëtarët, në listën e pikave të hyrjes dhe daljes tranzit pa viza, bëri të ditur Administrata Kombëtare e Emigracionit.
Sipas politikës së re, udhëtarët nga 54 vende, përfshirë Rusinë, Brazilin, Britaninë e Madhe, ShBA dhe Kanadanë, të cilët kalojnë përmes Kinës gjatë udhëtimit të tyre drejt një vendi apo rajoni të tretë, mund të hyjnë në Kinë pa viza nga 60 pika të hapura në 24 provinca, rajone autonome ose qytete të varura drejtpërdrejt nga qendra.
Ata mund të qëndrojnë brenda zonave të caktuara deri në 240 orë. Krahasuar me politikat e mëparshme të tranzitit pa viza 72/144 orëshe, ndryshimi më i dukshëm është se tani mund të udhëtojnë ndër provinca, rajone autonome dhe qytete të varura drejtpërdrejt nga qendra brenda zonave të lejuara.
Nga janari në nëntor, numri i përgjithshëm i qytetarëve të huaj në pikat hyrëse në mbarë Kinën arriti në 29.2 milionë, një rritje prej 86.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga këto, 17.4 milionë hyrje ishin nën politikën e tranzitit pa viza, duke shënuar një rritje prej 123.3% krahasuar me të njejtën periudhë të vitit të kaluar.



