
Premtimi i Presidentit të zgjedhur Donald Trump se do të realizojë deportimin më masiv në historinë e Shteteve të Bashkuara ngre pikëpyetje mbi ligjshmërinë dhe zbatimin e këtij procesi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës për imigracionin Aline Barros njofton se si ushtria amerikane mund të përfshihet në këto plane
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump tha se problemi më i rëndë i Amerikës është emigracioni i paligjshëm
“Do të kryejmë deportimin më të madh në histori. Nuk jam krenar ta them këtë, por është diçka e vështirë që duhet bërë”, shprehej në 10 maj të 2024 kandidati republikan Donald Trump.
Pasi fitoi zgjedhjet e 5 nëntorit, zoti Trump shpërndau një postim në mediat sociale duke thënë se do të shpallte një emergjencë kombëtare dhe do të dislokonte trupa amerikane për të ndihmuar në kryerjen e deportimeve.
Se si mund të përdoret ushtria amerikane për të realizuar premtimin për dëbime masive është e paqartë, thotë profesori i drejtësisë në Universitetin e Nju Jorkut, Joseph Nunn
“Në të vërtetë varet nga ajo se çfarë ka parasysh Presidenti lidhur me mënyrën se si ai do të përdorë ushtrinë, pra nëse do që ushtria të përfshihet drejtpërdrejt në zbatimin e ligjit, apo nëse ushtria do të japë një mbështetje indirekte në operacionin federal të deportimit”, shprehet ai.



