Në ditën që Gjykata Kushtetuese po mbanë seancën për ligjin për gjuhët, ka reaguar Fatmir Bytyqi nga LSDM, që siç tha, jemi të vetëdijshëm se nuk bëhet fjalë vetëm për ligjin apo Kushtetutën, por edhe për atë se çfarë shteti dëshirojmë të jemi. Bytyqi tha se, Maqedoni është territor për të gjithë dhe gjuha është simbol i shpirtit tonë, dinjitetit tonë dhe lirisë sonë.
Tutje, Bytyqi tha se, kur gjuha shqipe po vendoset në pikëpyetje, beson se dikush nesër mund t’ia ndalë edhe zërin por siç tha, përdorimi i gjuhës amtare nuk është privilegj, është e drejtë themelore që çdo shtet gjithëpërfshirës duhet ta garantojë. Vetëm kur jemi të hapur ndaj dallimeve, bëhemi më të fortë dhe më të bashkuar.
“Në këtë moment, në orën 9:30, në sallën e Gjykatës Kushtetuese fillon një bisedë e pazakontë e shoqërisë sonë me vetveten, me dallimet, e cila mund të jetë dialog si proces gjithëpërfshirës ose monolog si akt përjashtues. Ky është një çast kur diskutohet për kohezionin e shoqërisë, për themelet e saj të përbashkëta. Në këto momente, kur salla e gjykatës bëhet arenë e përplasjes mes historisë dhe vizionit për të ardhmen, jemi të vetëdijshëm se nuk bëhet fjalë vetëm për ligjin apo Kushtetutën, por edhe për atë se çfarë shteti dëshirojmë të jemi.
Maqedonia është atdhe për të gjithë ne. Ajo nuk është vetëm territor – ajo është histori e jetës së përbashkët, e sfidave të përbashkëta, në të mirën dhe të keqen. Dhe në këtë histori të përbashkët, gjuha është simbol i shpirtit tonë, dinjitetit tonë dhe lirisë sonë.



