
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përshëndeti rrëzimin e presidentit sirian Bashar al-Assad , duke folur për një “ditë historike”, të cilën ai ia atribuoi goditjeve të ushtrisë së tij ndaj mbështetësve të Damaskut, Iranit dhe Hezbollahut në Liban.
Gjatë vizitës së tij në një zonë pranë kufirit me Sirinë , Netanyahu tha se ka urdhëruar ushtrinë izraelite të pushtojë territorin në zonën neutrale për të garantuar sigurinë e Izraelit.
Ministri i Mbrojtjes Israel Katz tha se vendimi për të vendosur forcat ushtarake në zonën neutrale të kontrolluar nga OKB-ja u mor për të mbrojtur komunitetet izraelite në Lartësitë Golan.
Katz tha se Izraeli është i vendosur të mbrojë këto komunitete.
Rënia e Bashar al-Assadit ishte e paimagjinueshme vetëm një javë më parë, kur rebelët filluan fushatën e tyre nga baza në Idlib, në veriperëndim të Sirisë.
Assad do të mbahet mend përgjithmonë si njeriu që shtypi brutalisht protestat paqësore kundër regjimit të tij në vitin 2011, të cilat çuan në një luftë civile. Më shumë se gjysmë milioni njerëz u vranë, gjashtë milionë të tjerë u shndërruan në refugjatë.
Me ndihmën e Rusisë dhe Iranit, ai shtypi opozitën dhe mbijetoi. Rusia përdori fuqinë e saj të frikshme ajrore ndërsa Irani dërgoi këshilltarë ushtarakë në Siri dhe Hezbollahu, milicia që Irani mbështet në Libanin fqinj, vendosi në Siri luftëtarët e vet të mirëstërvitur.



