Lavrov paralajmëron Perëndimin për një luftë të nxehtë, Ukraina e akuzon për kriminel lufte

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken akuzoi të enjten homologun e tij rus Sergei Lavrov për përhapjen e një “cunami të keqinformimit” dhe fajësoi Moskën për përshkallëzimin e luftës në Ukrainë.

“Kolegi ynë rus është shumë i aftë në mbytjen e dëgjuesve në një cunami të dezinformatave”, tha Blinken në një takim të OSBE-së në Maltë ku mori pjesë Lavrov.

Edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiga akuzoi nga samiti i Maltës Lavrovin si një “kriminel lufte”.

“Ukraina vazhdon të luftojë për të drejtën e saj për të ekzistuar. Dhe krimineli rus i luftës në këtë tryezë duhet të dijë: Ukraina do ta fitojë këtë të drejtë dhe drejtësia do të mbizotërojë,” tha Sybiga.

Ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov fajësoi Perëndimin për shkaktimin e një Lufte të re të Ftohtë dhe paralajmëroi se ajo rrezikonte të shndërrohej në një konflikt Lindje-Perëndim, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti.

“Bota është dëshmitare e një rikthimi të “Luftës së Ftohtë, por tani me një rrezik shumë më të lartë që ajo të kalojë në një fazë të nxehtë”, tha Lavrov.