
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të qëndrojë sot në Sarajevë dhe nesër pritet pjesë në një konferencë të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”.
Me këtë rast, presidenti i entitetit të RS, Milorad Dodik foli sërish në Platformën X mëngjesin e sotëm.
Ai e quajti provokim vizitën e Kurtit, teksa propagandoi për kaos. Madje u ankua që ai sot do të duhet të paraqitet në gjyq, në kohën kur Kurti viziton Sarajevën.
“Fotot që lajmërojnë me entuziazëm ardhjen e këtij lideri separatist janë simbol i mosrespektimit dhe poshtërimit të popullit serb. Kjo vizitë është një provokim i hapur, një fyerje për të gjithë serbët dhe një konfirmim se Sarajeva po përdoret si platformë për zbatimin e politikave që nuk kanë të bëjnë me paqen, bashkëpunimin dhe respektimin e të drejtave. Vizita e Albin Kurtit në Sarajevë nuk është as gjest vullneti i mirë dhe as kontribut për stabilitetin rajonal. Është një përpjekje tjetër për të delegjitimuar popullin serb dhe për të poshtëruar Republikën Srpska. Ne nuk do ta pranojmë këtë! Sarajeva duhet të turpërohet që është kthyer në një skenë për lavdërimin e atyre që janë më përgjegjës për vuajtjet e serbëve. Republika Srpska nuk do të qëndrojë e heshtur përballë provokimeve të tilla dhe gjithmonë do të mbrojë dinjitetin e popullit serb”, tha Dodik.
Për përkujtim, Shoqata Krug 99 ftoi mysafirët dhe të interesuarit që të vijnë në seancën e zgjeruar të asaj organizate joqeveritare, ku fjalën e hapjes do ta mbajë Albin Kurti.
Kryetari i Rrethit 99, Adil Kulenoviq, në ftesën për këtë manifestim, falënderoi veçanërisht mbështetjen e Komunitetit të Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë për mbajtjen e takimit, i cili do të mbahet më 6 dhjetor në sallën e madhe të Bashkisë në Sarajevë.
Sesioni i Rrethit 99 iu kushtua situatës dhe marrëdhënieve në rajon dhe perspektivave për paqen në Ballkan.



