
Prodhuesit kërkojnë ndryshimin e anekseve të shitblerjes, duke shtuar se çmimet e blerjes janë të ulëta dhe nuk mbulojnë kostot dhe shtrenjtimin e jetesës. Paralajmërohen edhe protesta paralajmëruese.
Lidhja e Shoqatave të Duhanit shton presionin për rritjen e çmimeve të blerjes së duhanit, përderisa tregtarët akoma nuk janë prononcuar. Në fakt, ligjërisht shitblerja duhet të fillojë më 15 dhjetor, ndërsa blerja e hershme ose e parakohshme e duhanit nga vjelja e sivjetshme filloi me kërkesën për çmime më të larta. Edhe me peshoret grumbulluese të hapura, prodhuesit e duhanit hezitojnë të dorëzojnë duhanin, duke pritur të shohin se çfarë çmimi do të arrihet. Fermerët presin çmime më të larta të shitblerjes seç ishin vitin e kaluar prej një çmim mesatar prej 365 denarë. Kultivuesit e duhanit, në fakt, së bashku me 100 denarë të subvencionit për klasin e parë në fund fituan 465 denarë për kilogram duhan të dorëzuar. Përskaj kësaj, fituan edhe 6000 denarë për hektar, si dhe naftë të gjelbër. Kultivuesit e sivjet kërkojnë çmim prej së paku 420 denarë, mirëpo një pjesë kërkojnë edhe 600 denarë për kg.
Me fjalë tjera, përfaqësuesit e prodhuesve kërkojnë ndryshimin e anekseve të shitblerjes me qëllim që çmimi të jetë së paku 7 euro për kg. Ato shtojnë se këto çmime të blerjes janë të ulëta dhe nuk mbulojnë kostot dhe shtrenjtimin e jetesës. Nëse gjatë kësaj javë të punës nuk arrihet marrëveshje për blerje të duhanit me çmim të garantuar prej 420 denarë, javën e ardhshme mund të pritet protestë paralajmëruese.
“Me vite si lypës lutemi për bukën që e fitojmë me gjak e djersë. Durimi ishte i mjaftueshëm”, thotë Vasko Josifovski, prodhues i duhanit. Për afër një javë apo nga 18 nëntori e këndej janë grumbulluar afër 20 tonë duhan me një çmim mesatar prej 370 denarë për kg. Blerësve u theksuam se gabojnë që presin më shumë se 20 mijë tonë duhan nga korrja, sepse realisht korrja është rreth 16 mijë tonë. Ne i qëndrojmë kërkesës për çmime më të larta, këmbëngulë Josifovski.
“Ndryshe, si propozim kemi dorëzuar në Nëngrupin Sektorial në Ministrinë e Bujqësisë që të merret parasysh mundësia e ri dedikimit të sipërfaqeve me kultura tjera dhe subvencionimit të tyre në periudhën e ardhshme. Me këtë blerësit do të humbasin, ndërsa si prodhues mund të vazhdojmë me prodhimtari, por me kultura tjera”, thekson Kire Risteski, kryetar i Lidhjes së Shoqatave të Duhanit. Ai theksoi se kanë dorëzuar propozimin në grupin nënsektorial që edhe këtë vit subvencioni linear duhet të jetë 100 denarë për një kilogram duhan të dorëzuar siç ishte vitin e kaluar. Aktualisht subvencionet edhe këtë vit mbeten 80 për klasën e parë, 70 për klasën e dytë dhe 60 për klasën e tretë të duhanit, ndërsa kultivuesit e duhanit do të marrin edhe 6000 denarë për hektar sipërfaqe të mbjellë me duhan.
Ndryshe, duhani është dega bujqësore tradicionale e shtetit, që është e orientuar drejt eksportit dhe që sjell të ardhura në deviza prej mbi 140 milionë euro në vit . Nga kjo veprimtari bujqësore ekzistojnë mbi 17 mijë familje.



