
Dëmtimet vazhdojnë të bëjnë “kërdinë” në kampin e Real Madridit. Lajmi i fundit ka të bëjë me Vinicius Junior, i cili ka pësuar një dëmtim në bicepsin femoral të këmbës së majtë, i cili e lënë jashtë fushave brazilianin për një periudhë të konsiderueshme. Kjo humbje i shtohet listës tashmë të gjatë të mungesave që përfshijnë Militao, Alaba, Carvajal, Vazquez, Tchouameni dhe Rodrygo te “Los Blancos”. Vetë sulmuesi brazilian ka shprehur zhgënjimin e tij në rrjetet sociale, duke gjetur edhe shkaktarin: “Kalendar i çmendur”.
Pavarësisht kësaj situate, Carlo Ancelotti ka ende zgjidhje në sulm. Trajneri italian mund të mbështetet te Mbappé, Bellingham dhe Brahim Diaz, si dhe te të rinjtë premtues Endrick e Güler. Megjithatë, përjashtuar Mbappé (me 9 gola në 17 paraqitje këtë sezon), asnjë prej tyre nuk mund të ofrojë të njëjtat shifra si Vinicius, i cili ka shënuar tashmë 12 gola në të gjitha kompeticionet.
Sfida e radhës për “Los Blancos” është të mërkurën, kur do të përballen me Liverpool-in, liderin e grupit në Champions League, në një transfertë jashtëzakonisht të vështirë. Real Madridi po lufton për të hyrë në zonën e “play off”-it dhe kjo ndeshje do ta gjejë skuadrën e Ancelottit në emergjencë të plotë. Pas kësaj, më 10 dhjetor, merenguesit do të udhëtojnë drejt Bergamos për t’u përballur me Atalantën, një ndeshje ku ka shumë gjasa që ylli i tyre, Vinicius, të mungojë.
Ylli brazilian nuk e ka fshehur zhgënjimin për dëmtimin e tij. Ai sugjeron se dëmtimi mund të ketë ardhur si pasojë e ngarkesës së madhe dhe kalendarit të ngjeshur të ndeshjeve. Duke komentuar në platformën “X” raportin mjekësor të publikuar nga Real Madridi, Vinicius u shpreh: “Kalendar i çmendur… Tani nis punën që të shërohem!”



