
Qeveria do të përgatis plotësisht tekst të ri për ndryshimet kushtetuese kur do të marrin garanci për eurointegrimin. Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi se bie në ujë teksti që vitin e kaluar e ka përgatitur grupi i ekspertëve në krye me ish gjykatësen Margarita Caca Nikollovski. Jozyrtarisht, propozimi do të ketë ndryshime në pjesën e zbatimit me prapraveprim të ndryshimeve kushtetuese. Pikërisht për shkak të ndryshimeve kushtetuese me prapaveprim u ashpërsua edhe retorika mes presidentes Gordana Siljanovska Davkova dhe kolegut të saj bullgar Rumen Radev. Që të dy dolën me qëndrime të ndryshme rreth asaj se çfarë kanë biseduar në takimin e tyre të fundit.
“Për shkak se komentohet takimi mes dy presidentëve të shteteve, ku unë nuk kam qenë atje, më mirë përgjigjen ta kërkoni në Kabinetin e dy presidentëve”, tha Hristijan Mickoski.
Në një intervistë të fundit, presidentja tha se me kryeministrin Mickoski kanë konsensus për idenë e ndryshimeve kushtetuese me prapaveprim dhe qëndrimin ia ka përcjellë kolegut të saj bullgar Radev, duke shtuar se ai nuk ka koment. Por Radev e demantoi.
“Unë mendoj se është një zgjidhje shumë e arsyeshme, me qëllim të mirë për vacatio legis me prapaveprim. Nuk ka pasur asnjë koment, sigurisht e kuptoj situatën në Bullgari, pamundësinë e formimit të Qeverisë”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova.
“Znj. Siljanovska, si juriste e mirë, e di shumë qartë se obligimet e marra nga marrëveshjet ndërkombëtare thjesht duhet të përmbushen dhe Bullgaria është e gatshme, e kam shprehur qartë gatishmërinë tonë që të ndihmojë në përmbushje sa më të shpejtë të kushteve”, tha Rumen Radev.
Siljanovska, ashtu si kryeministri, theksoi se ka shpresë për zhbllokimin e procesit të integrimeve evropiane deri në fund të vitit.



