
Në redaksinë e TV21 janë ankuar disa kompani prestigjioze shqiptare, të cilat nuk kanë qenë të përfshira në Top5 kompanitë më të suksesshme nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, si:
Kompanitë nga OEMV:
“Rrjeti i marketeve – Kipper, e cila vitin e kaluar ka pasur një xhiro përmbi 100 milion euro, sikurse edhe kompanitë Neptun, Adrijus, Alma-M, Renova, Pofix, Jus MB dhe CEA Construction, të cilat kanë gjeneruar dhjetëra milion euro dhe nuk janë renditur në Top5 kompanitë më të suksesshme“
Sipas ankesave të tyre kryesia e OEMVP e shfrytëzon Odën për bizneset e tyre personale dhe nuk është përfaqësues i denjë i të gjitha kompanive pjesëmarrëse në Odë. Sherri arriti kulmin me paraqitjen e evenimentit TOP100 ku edhe pati pakënaqësi të shumta nga disa kompani për mënyrën e ndarjes së çmimeve, të pesë kompanive më të suksesshme, sipas të cilëve, janë po të njëjtit njerëz prej vitesh.
Nga kryesia e Odës ndonëse refuzojnë të deklarohen para kamerës, përmes telefonit na treguan kriteret me të cilat janë përzgjedhur kompanitë, duke mohuar se ka përçarje brenda Odës së bizneseve shqiptare.
“Sa i përket përzgjedhjes së kompanive më të suksesshme, ne i përmbahemi kritereve të cilat kanë qenë të njëjta, siç janë: shuma totale e qarkullimit monetar, fitimi i kompanisë në vitin e fundit, numri i punëtorëve dhe punësimet e reja si dhe zgjerimi i kapaciteteve në investimet kapitale të tyre”, thonë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.
Në emisionin “DailyClick” Ministri i Ekonomisë Besar Durmishi tha se këtë çështje do ta shtroj në takimin e radhës me përfaqësuesit e Odës. Ndonëse, ai nuk deshi të përzihen në punën e tyre të brendshme meqë janë kompani private.
“Nuk mund të përzihemi në politikën e tyre të brendshme, por natyrisht që pasi ma përmendet. Emisionin besoj se do e shohin, por unë në takimin e radhës do t’ua kumtoj si vërejtje dhe do t’i pyes çfarë është puna. Por, gjithsesi unë nuk mund të ndikoj në politikën e tyre të brendshme”, tha Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë dhe Punës.
Ndryshe, në eventin e javës së kaluar të kompanive më të suksesshme shqiptare “TOP 100” pjesëtarët të Odës Ekonomike Veri-Perëndimore prisnin radhën të bënin foto me kryeministrin Mickovski dhe zëvendëskryeministrin Mexhiti. Madje, skena ishte e vogël për të gjithë ata që donin të dalin sa më afër parisë së shtetit. Por, kur bëhet fjalë për mbështetjen e bizneseve shqiptare, pak njerëz mbeten karshi krerëve të ekzekutivit. Biznese te shumta shqiptare ankohen se mbeten të pa përfaqësuar nga Oda në ndikimin për zhvillimin e projekteve infrastrukturore dhe lehtësirave legjislative në shkëmbimet tregtare me vendet fqinje.



