
Fillimi i aventurës së Kylian Mbappe me fanellën e Real Madridit nuk po shkon ashtu siç ai dhe tifozët e kanë pritur.
Reprezentuesi francez u transferua në Madrid më herët gjatë kësaj vere duke kompletuar transferimin e shumëpritur nga Paris Saint-Germaini.
Sidoqoftë, fillimi i tij në La Liga ka qenë mjaft i dobët, pasi ai ka dështuar që të shënojë në tri ndeshjet e para në elitën e futbollit spanjoll.
Carlo Ancelotti megjithatë, po vazhdon që të ketë besim të plotë tek Mbappe përkundër faktit që ai nuk e ka gjetur rrjetën në asnjërën prej takimeve ndaj Mallorcas, Real Valladolidit dhe Las Palmas.
Hera e fundit kur ai shkoi në tri ndeshje pa shënuar gol erdhi në janar të vitit të kaluar tek PSG-ja, para se të shpërthente me gjashtë gola në katër ndeshjet vijuese.
Tifozët e Real Madridit do të shpresojnë se një formë e njëjtë do të shfaqet dhe Mbappe do të fillojë shkëlqimin pas përfundimit të pauzës me kombëtare.




