Edhe pesë palestinezë janë vrarë prej forcave izraelite në ditën e dytë të bastisjeve në Bregun e pushtuar Perëndimor, derisa Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për depërshkallëzim të luftimeve, raporton BBC.
Forcat Izraelite të Mbrojtjes kanë bërë të ditur se “pesë terroristë që po fshiheni në një xhami” në Tulkarm, janë vrarë gjatë aksionit në qytezën afër kufirit me Izraelin.
Izraeli nisi atë çfarë e quajti operacion anti-terrorist në Bregun Perëndimor të mërkurën. Ka pasur të dhëna kundërthënëse për numrin e të vrarëve derisa operacioni është zhvilluar në disa qytete.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, i ka bërë thirrje Izraelit që menjëherë të ndalë operacionin e tij, duke theksuar se “po e përndez situatën tashmë eksplozive”.
Ai i ka bërë thirrje Izraelit që “të tregojë përmbajtje maksimale dhe të përdorë forcë vdekjeprurëse vetëm kur është e pashmangshme”.
Ushtria izraelite ka bërë të ditur se pesë palestinezët janë vrarë pas “shkëmbimit të zjarrit” në Tulkarm. Njërin prej të vrarëve e ka identifikuar si Mohammed Jaber – i njohur edhe si Abu Shujaa – i cili raportohet se ishte lider lokal i Brigadës Tulkarm, që mbështet nga grupi militant, “Xhihadi Islamik Palestinez”.



