
Nga VLEN sot kanë reaguar pas incidentit në ndeshjen FK Brera dhe FK Shkëndija në Strumicë, ku u largua flamuri shqiptar nga tribuna, përcjell TV21. Nga VLEN akuzojnë BDI-në për keqpërdorim të FFM-së, për të shkaktuar, siç thonë nga VLEN, incidente ndëretnike.
“Që nga dje, në përpjekjet për të krijuar tensione etnike, Artan Grubi dhe klika e tij kanë abuzuar me FFM-në, të udhëhequr nga Muhamed Sejdini. Qëllimi i udhëheqjes kriminale të BDI-së është të përpiqet të shpëtojë nga përgjegjësia penale për korrupsionin politik masiv dhe të mbrojë pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme nga populli shqiptar. Në vend që të bëjnë sehir, BDI-ja duhet të përgjigjet menjëherë: A është e vërtetë që, nën urdhrat e Artan Grubit dhe Omer Bunjakut, në ndeshjen
ndërmjet FK Brera dhe FK Shkëndija në Strumicë është testuar një plan i
BDI-së për të krijuar tensione përmes incidenteve në ngjarje sportive? A
e ka zgjedhur me qëllim dhe në mënyrë të vetëdijshme Muhamed Sejdini,
president i FFM-së dhe i arrestuar gjatë fushatës zgjedhore për blerje
votash për BDI-në, një delegat të tillë për këtë ndeshje, për të kërkuar
nga policia largimin e tifozëve që kishin shfaqur flamurin shqiptar? A
planifikon BDI-ja, duke ndjekur skemat e Vuçiqit, të shkaktojë përplasje
ndërmjet grupeve të ndryshme të tifozëve dhe tensione ndërmjet nxënësve
të shkollave të mesme dhe studentëve në periudhën e ardhshme?
Çfarë është i gatshëm të bëjë Artan “Belivuku”? VLEN apelon që shqiptarët të mos bien pre e këtyre provokimeve. BDI-ja nuk i mbron simbolet e identitetit kombëtar shqiptar, por e përdhos flamurin e shenjtë shqiptar nga frika e përgjegjësisë për skandalet e korrupsionit, siç janë Soaravia, bizneset e lojërave të fatit dhe tenderët e paligjshëm”, thuhet në reagimin e VLEN.



