
Pas shtatë vjetësh në arrati, Dejan Davidovski Desho u dorëzua këtë mëngjes në pikën kufitare Deve Bair gjatë hyrjes në Maqedoni nga Bullgaria. Në xhirimet e TV Kanal 5 mund të shihet se në kufirin e Maqedonisë, Davidovski u prit nga avokatët Toni Menkinovski dhe Vane Andrejev. Pasi kaloi kufirin, ai u bekua dhe puthi tokën, pastaj dorëzoi dokumentet në kontrollin e pasaportave. Davidovski ishte dënuar për rastin e sulmit në Kuvend më 27 prill 2017 dhe kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar si i dyshuar për kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë. Ministria e Brendshme nuk dha detaje konkrete, por në një njoftim u tha se ai ishte arrestuar gjatë kontrollit të pasaportave.
Kthimi i Davidovskit në vend përkon me ndryshimin e qeverisë që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE, veçanërisht pasi drejtori i ri i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, nënshkroi lirimin nga burgu të dënuarve për 27 prill me arsyetimin se kishin dokumentacion për probleme shëndetësore.
“Si drejtor i përkohshëm i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, e vetmja gjë që mund të bëj është që nëse vjen një kërkesë nga një i burgosur që paraqet dokumentacion se ka një problem akut shëndetësor, i nënshkruar nga një specialist, unë nuk kam të drejtë ta refuzoj atë. Është fakt që disa, tani mos më kapni për fjalë saktësisht sa janë, tre, katër, pesë vetë”, tha Aleksandar Panov – drejtor i drejtorisë për ekzekutimin e sanksioneve.
Davidovski, pas hapjes së procesit për 27 prillin, ishte midis 33 të akuzuarve për kërcënim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë gjatë sulmit në Kuvend, por më pas u arratis dhe për të u shpall një urdhërarrest ndërkombëtar. Para 5 vitesh, ai ishte arrestuar në aeroportin e Suedisë menjëherë pas zbritjes së tij atje, por më pas Gjykata e Lartë e vendit refuzoi kërkesën e Maqedonisë për ekstradim.



