
Departamenti amerikan i Shtetit ka deklaruar se nuk mbështet asnjë ndryshim në statusin aktual të Urës Ibrit në Kosovë.
“Hapja e urës për lëvizjen e automjeteve tani rrit potencialin për dhunë dhe vë në rrezik popullatën vendase si dhe ushtarët e KFOR-it – përfshirë amerikanët – të cilët po punojnë për të mbështetur paqen dhe sigurinë në Kosovë”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Pavlovic Today.
Departamenti i kërkoi Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga “veprimet e njëanshme dhe në vend të kësaj ta trajtojë çështjen brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE”.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë këtë veprim të pakoordinuar, të njëanshëm dhe ta diskutojë këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha zëdhënësi, duke shtuar se ky qëndrim përputhet me atë të partnerëve të QUINT-it, si dhe me BE-në dhe NATO-n.
Qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sipas Departamentit të Shtetit, është që “të punojnë me Qeverinë e Kosovës për të krijuar kushtet në të cilat ura mund të hapet për qarkullimin e automjeteve”.
Për këtë qëllim, Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës “të kthehet në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”.
Këtë qëndrim e ka argumentuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili dje tha për REL se ekziston një rrezik real i lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, tha ambasadori amerikan.
“Shpresa jonë është që Qeveria do ta dëgjojë këtë dhe do t’i marrë parasysh këto shqetësime”, shtoi ai.



