
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, ka thënë se Ura e Ibrit do të duhej të hapej.
Pula tha se do të duhej që spektri politik në Kosovë të dilnin dhe të tregonin qëndrueshmëri për sa i përket nevojës për realizimin e një nevoje të kushtetushmërisë, hapjen e urës për liri të lëvizjes.
“E them këtë për faktin se edhe në asamblenë komunale të Mitrovicës së Veriut, dhe aty çka do të duhej të ndodhte përveç grumbullimit të qytetarëve të qytetit, do të duhej që të gjithë deputetët e Kosovës që vijnë nga ajo zonë, të jenë prezentë aty për të bashkëbiseduar me qytetarët të gjitha arsyet se pse ajo urë duhet të hapet edhe për automjete”, tha ai në “Info Magazine”, njofton Klankosova.tv.
Ai tha se deklaratat e zyrtarëve ndërkombëtarë në lidhje me çështjen e hapjes së Urës së Ibrit, janë të çuditshme, teksa shtoi se në veri kanë vepruar strukturat ilegale dhe ishin pikërisht ndërkombëtarët, që sipas tij, kanë heshtur ndaj tyre.
“Kur i dëgjojmë disa prej deklaratave të zyrtarëve ndërkombëtarë, janë të çuditshme dhe vazhdojnë të na çudisin me këto deklarata sepse që nga paslufta, pakica serbe atje nuk ka paguar tatim në pronë, rrymë, ujë, strukturat ilegale kanë qenë atje, dhe janë po këta ndërkombëtarë që i kanë parë por janë treguar të heshtur e të shurdhër duke i lënë që të krijohet ajo situatë dhe të thellohet ajo gjendje”, tha ai.



