
448 policë të rinj kanë diplomuar të premten në Prishtinë. Në sallën “1 Tetori” është mbajtur ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se polica po shton dhe forcon radhët e saj duke qenë në nivelin më të lartë të detyrës për sundimin e ligjit dhe ruajtjen e sovranitetit e integritetit të vendit.
Kurti potencoi se Policia e Kosovës këtë vit shënon 25 vjetorin e themelimit të saj, duke promovuar vlerat më të mira të shoqërisë tonë.
Ai tha që përkushtimi dhe shërbimi me ndër le të jenë virtytet që i karakterizojnë gjatë ushtrimit të profesionit.
“23 zyrtarë policor të rinj në krye të detyrës janë dëshmia e shërbimit ndaj qytetarëve, ata në jetën e patrullimit të rregullt, me operacione kundër bankave dhe krimeve të organizuara, ata janë rrëfyesi nga ata që janë ne shërbim. Të dashur kadetë Nga sot ju jeni vlerë e shtuar e policisë tonë, por edhe garancë për qytetarët e Republikës së Kosovës. Përkushtimi dhe shërbimi me nder le të jenë virtytet qe ju karakterizojnë gjatë ushtrimit të profesionit”, tha Kurti
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Svecla tha se policia e vendit tonë me profesionalizmin e tyre kanë arritur ta ngrisin këtë institucion si më të besueshmin për qytetarët e Kosovës.
Ai theksoi se shërbimi ndaj vendit nuk është asnjëherë i mjaftueshëm kur kujtojmë sakrificën e vazhdueshme të popullit tonë për liri.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës , Gazmend Hoxha tha se diplomimi i kësaj gjenerate tregon përkushtimin e tyre për të tejkaluar të gjitha sfidat për tu bërë pjesë e Policisë së Kosovës.
Ai potencoi se prioritet për Policinë e Kosovës është përmbushja e standardeve, përfaqësimi i të gjitha komuniteteve, diversitet etnik dhe ai gjinor.
Zëdhënësi i gjeneratës së 60-të të Policisë së Kosovës, Florian Shala u shpreh se ky moment i diplomimit është dëshmi e përkushtimit dhe përgjegjësive për të përmbushur me nder dhe dinjitet detyrat që i presin.
Ai u zotua se do të punojnë me përkushtim për të ruajtur besimi që e kanë qytetarët në Policinë e Kosovës.
Policia e Kosovës që nga themelimi është institucioni më i rëndësishëm shtetëror që kujdeset për mbrojtjen dhe sigurinë e rendit në vend. PK ka filluar punën më 6 shtator të vitit 1999, ndërsa sivjet do të shënojë 25-vjetorin e themelimit të saj.







