LajmeRajon

Trajkoviq: Vuçiq pritet ta arrestojë Radoiçiqin muajin e ardhshëm, është kusht që Macron të vijë në Serbi

Kryetarja e Lëvizjes Europiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq ka deklaruar sot se arrestimi i Milan Radoiçiq është një nga kushtet për vizitën e presidentit francez Emmanuel Macron në Beograd.

Trajkoviq tha në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve, Beta se presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të duhet ta arrestojë Radoiçiqin për muajin e ardhshëm, kur, siç është paralajmëruar, pritet ardhja e presidentit francez.

Ajo kujtoi se në prill, gjatë vizitës së Vuçiqit në Francë, Macron kishte thënë se është e rëndësishme që pjesëmarrësit e sulmit në Banjska të arrestohen.

“Vuçiq është nën një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare për shkak të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë Milan Radoiçiq. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar që procesi gjyqësor të zhvillohet në Beograd, që do të thotë se nuk ka presion për ekstradimin e Radoiçiqit dhe anëtarëve të grupit të tij në Prishtinë. Vuçiq ka premtuar se do ta gjykojë Radoçiqin dhe pritet që ai të arrestohet para ardhjes së presidentit francez Emmanuel Macron”, tha Trajkoviq.

Ajo shtoi se arrestimi është një nga kushtet për vizitën e Macron, “e cila nuk diskutohet publikisht”.

Sipas saj, arrestimi i ish-nënkryetarit të Listës Serbe do të jetë “prova më e vështirë” që Vuçiq duhet ta kalojë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close