
Ushtria izraelite urdhëroi civilët që të evakuohen përkohësisht nga një pjesë e zonës humanitare në Gazën jugore, përpara, siç tha, një “operacioni të dhunshëm” kundër grupeve të armatosura palestineze.
Ajo, gjithashtu, u bëri thirrje banorëve që të dhurojnë gjak në spitalin Naser, në perëndim të Kan Jonisit, për të ndihmuar në trajtimin e numrit të lartë të pacientëve.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi i pari Izraelin në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.
Në përgjigje, Izraeli është duke kryer sulme intensive në Gazë – enklavë e populluar me palestinezë, që kontrollohet nga Hamasi.
Sipas autoriteteve në Gazë, mbi 39.000 njerëz janë vrarë që nga shpërthimi i luftës.
Në dy javët e fundit, Izraeli ka kryer disa sulme vdekjeprurëse në zonat humanitare, për të cilat ka thënë se kanë pasur në shënjestër luftëtarët palestinezë që veprojnë atje.
Më 13 korrik, Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se më shumë se 90 njerëz janë vrarë në një sulm izraelit në zonën humanitare al-Mavasi./RLE



