
“Respektimi i tri marrëveshjeve bazike duke filluar nga Marrëveshja kornizë e Ohrit – e cila solli paqe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, respektimi i Marrëveshjes së Prespës me të cilën u hap perspektiva euro-atlantike dhe evropiane e vendit dhe respektimi i marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë janë jetike për një të ardhme më të mirë dhe më me prespektivë për Republikën e Maqedonisë së Veriut”.
Kështu ka deklaruar për “Frontline”, Arbër Ademi – nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke folur mbi reflektimin e mandatarit dhe liderit të VMRO DPMN-së, Hristijan Mickoski ndaj përdorimit të emrit kushtetues të shtetit – Republika e Maqedonisë së Veriut.
“Presim dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politik në Maqedoninë e Veriut që të sillen me përgjegjësi dhe të respektojnë këto tre marrëveshje bazë, që në fakt mos respektimi i të njëjtave nuk i sjell asgjë të mirë për shtetin, përpos ndonjë pike politike për aktorët politik të cilët do të linin përshtypje në opinion se heqin dorë nga të njëjtat. Republika e Maqedonisë së Veriut ka bërë hapa të rëndësishëm përpara, veçanërisht me këto kompromise të cilat i kanë siguruar një të ardhme më të mirë të vendit. Andaj, edhe këtë veprim të fundit e shikojmë si një reterim nga folklori politik për pikë të ulëta politike”, shprehet Ademi, përcjell PRESSonline.al
Mickoski reflektoi duke pranuar emrin kushtetues të shtetit – a do të reflektoi edhe për ndryshimet kushtetuese?
Mandatari Hristijan Mickoski – në paraqitjen e emrave të ministrave të rinj dhe programin për qeverinë e re, e përdor emrin kushtetues të shtetit tre herë në një fjali. Për të katërtën herë e vendos pranë mbiemrit të tij si mandatar.
Në daljen e tij të fundit televizive, Mickoski tha:
“Unë do të bëj betimin si kryeministër i ri me emrin kushtetues të shtetit, kjo është e qartë. Në daljet e mia jashtë vendit do të përdor emrin kushtetues. Nuk mund të sillemi me standarde të dyfishta, nuk mund t’u kërkojmë qytetarëve të respektojnë ligjet dhe kushtetutën dhe nuk i respektojmë ato. Por në paraqitjet e mia në vend dhe në deklaratat do të përdor emrin e vendit tim, që është Maqedonia”.
Më 5 qershor, Mickoski tha se nuk do ta përdor emrin Maqedonia e Veriut në fjalimet e tij dhe se do të nënshkruajë të gjitha dokumentet dhe ligjet me emrin kushtetues.
“Komunikimi i përgjithshëm institucional që është pjesë e Kushtetutës dhe ligjeve do të respektohet për aq kohë sa ato ligje janë në fuqi. Por në deklaratat e mia emri do të jetë Maqedoni”, tha Mickoski më 5 qershor, përcjell PRESSonline.al
Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi ka caktuar seancën për zgjedhjen e Qeverisë së re të shtunën në ora 11:00.



