LajmeMaqedoniTopLajm

Votimi i parë i ndryshimeve ligjore, pastaj qeveri e re! Gashi për përkrahje do t’i bindë deputetët e BDI-së, LSDM-së dhe Levicës

Nesër kryetari i Kuvendit Afrim Gashi do ta mbajë takimin e parë koordinues me deputetët e rinj. Edhe pse deri më tani kishte takime joformale, megjithatë nesër përbërja e re parlamentare do ta mbajë koordinimin e parë zyrtar. Pritet që tema e seancës të jenë ndryshimet ligjore për organizimin e punës së organeve të drejtorive shtetërore, me çka do të mundësohet transformimi i disa ministrive por edhe formimi i ministrive të reja. Për ndryshimet e këtilla duhet shumica e dy të tretave, kështu që përveç votave të VMRO-DPMNE-së, VLEN-it dhe ZNAM-it, do të kërkohet edhe përkrahja e LSDM-së, BDI-së dhe Levicës. Së pari do të sillen këto ndryshime e pastaj do të caktohet seanca për zgjedhjen e qeverisë së re. Sipas marrëveshjes ndërpartiake, ka ministra që do t’i udhëheqin ministritë e reja, andaj nevojiten ndryshimet ligjore.

“Koalicioni mes VMRO-DPMNE, ZNAM dhe VLEN ka dakorduar që qeveria e re të fillojë me organizimin e ri të shtetit, organizimin e ministrive dhe resorëve. Duam së pari ta sjellim këtë ligj, që të mund qeveria që do të zgjidhet, të zgjidhet në suazat e këtij ligji dhe në suazat e organizimit të ri. Andaj duam dhe do të përpiqemi bashkërisht me të gjitha partitë politike në Kuvend të merremi vesh që ky ligj të jetë ligji i parë që do të vendoset në seancë plenare”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Sipas informacioneve jozyrtare të TV21, të gjithë resorët në qeverinë e re janë dakorduar ndërsa planifikohet që më 10 ose më së voni më 15 qershor të votohet qeveria e re. Gjithsesi paraprakisht duhet të votohen ndryshimet me qëllim formimi i ministrive të reja.

Sa i përket betimit gjatë marrjes së funksionit që së pari e lexoi në gjuhën shqipe e pastaj në gjuhën maqedonase, Gashi tha se listën e ka lexuar ashtu siç ia ka dhënë kryesuesi i seancës dhe shërbimet e Kuvendit.

“Unë e lexova deklaratën solemne në dy gjuhët, ndërsa i lexova ashtu siç i lexoi deputetja që e udhëhoqi seancën, sigurisht për arsye teknike. Nuk besoj se ishte qëllimisht, por edhe po të ishte, kjo është puna e Kuvendit”, shtoi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Në intervistë për REL, Gashi nuk tha nëse ka datë konkrete kur  dhe a do të mbahet seanca në Kuvend për ndryshimet ligjore, por tha se relacionet me fqinjët duhet të jenë të mira, ndërsa për dallim nga presidentja e re dhe kryetari i ri, ai tha se në të gjitha paraqitjet e tij do ta përdorë emrin kushtetues të shtetit, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Related Articles

Back to top button
Close
Close