
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe sot në Rakovec të Kaçanikut, ku ka kujtuar të vrarët nga forcat serbe.
Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë mëngjesin e 9 prillit të 1999, Kaçaniku ishte zgjuar i rrethuar nga forca të mëdha të ushtrisë dhe policisë së Serbisë, që sulmonin popullatën civile, duke granatuar nga të gjitha anët.
Kryeministri ka theksuar se në mbrojtje të tyre dolën ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u përballur me forcat e armatosura serbe.
Kurti ka shtuar se sot ishin në Kaçanik për të nderuar kujtimin e burrave e grave që lanë pas trashëgimi të pashembullt të guximit, qëndresës dhe dashurisë për atdheun.
“Në këtë datë, nderojmë 28 dëshmorë dhe 32 viktima civile, martirë të vrarë në Rakoc dhe Lagje të Re. Me përkushtimin për ta ruajtur trashëgiminë e luftës çlirimtare, duke nderuar sakrificat e popullit të Kosovës për liri, punojmë me vendosmëri për një Kosovë të paqes, të drejtësisë dhe përparimit. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë!”, tha Kurti.



