Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ka konfirmuar të martën se komisioni do të rekomandojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Bosnjë e Hercegovinës në Bashkimin Evropian (BE).
“Prej kur i dhamë statusin e kandidatit, Bosnja e Hercegovina ka bërë hapa mbresëlënës drejt nesh. Më shumë përparim është arritur gjatë pak më shumë se një viti, sesa gjatë një dekade“, tha Von der Leyen, duke i numëruar disa rezultate, përfshirë edhe faktin se Bosnja e Hercegovina tash e ka nivelin e përshtatjes 100 për qind me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.
“Kjo është arsye pse ne sot vendosim që t’i rekomandojmë Këshillit që të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjë e Hercegovinën. Mesazhi nga Bosnja e Hercegovina është i qartë. Prandaj edhe mesazhi ynë duhet të jetë i qartë po ashtu. E ardhmja e Bosnjë e Hercegovinës është në Bashkimin Evropian“, tha ajo.
Pas rekomandimit të Komisionit Evropian vendimin për nisjen e negociatave duhet ta marrin liderët e 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Kjo do të jetë në rënd të ditës në një samit që do të zhvillohet më 21 dhe 22 mars në Bruksel.
Në Procesin e zgjerimit ndodhen momentalisht 10 vende.
Prej tyre, 9 kanë status kandidati dhe vetëm Kosova është vend i cili nuk e ka një status të tillë, edhe pse ka aplikuar për anëtarsim në bllok.
Turqia, Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ukraina dhe Moldavia kanë edhe vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Status kandidati kanë edhe Bosnje e Hercegovina dhe Gjeorgjia, por deri tash nuk kanë vendim për hapjen e negociatave./ REL



