
Pas disfatës së fundit në kampionat ndaj Brest, drejtuesit e Marseille shkarkuan nga detyra trajnerin Gennaro Gattuso. Skuadra renditet në vendin e nëntë në Ligue 1 dhe në këtë formë, shkarkimi i italianit ishte i pashmangshëm.
Ndërkohë, drejtuesit e Marseille duket se kanë pikeuar zëvendësuesin e Gattusos. Bëhet fjalë për Jean-Louis Gasset i cili pritet të zyrtarizohet në orët e ardhshme si “timonieri” i ri i skuadrës. 70-vjeçari do të firmosë një kontratë deri në fundin e sezonit aktual me Marseille që gjatë verës mund të marrë kohën e duhur për të emëruar një tjetër trajner për sezonin e ardhshëm ku i preferuari kryesor është ishi i Paris Saint-Germain, Christophe Galtier.
Detyra kryesore për Gasset do të jetë avancimi dhe zgjatja sa më shumë e rrugëtimit të Marseille në Europa League, aty ku aktualisht francezët luajnë në raundin e 1/16-tave. Gasset, shndërrohet në trajnerin e katërt të këtij sezoni te Marseille pas Marcelinos, Jacques Abardonado dhe Gattusos.
Gasset, së fundmi ishte në krye të kombëtares së Bregut të Fildishtë, ndërsa në të kaluarën ka pasur eksperienca me disa klube franceze si Caen, Istres, Montpellier, Saint-Etienne apo edhe Bordeaux.



