
Komuna e Prishtinës ka publikuar sot një vlerësim preliminar të dëmtimit të kulmit të ndërtesës së re në Arbëri, si pasojë e së cilës u lëndua një vajzë 23-vjeçare të enjten.
Raporti preliminar është përpiluar nga dy ekspertë të fushës të kontraktuar nga komuna, arkitektët Visar Geci dhe Gëzim Kastrati.
“Për të bërë një analizë preliminare se çka e ka shkaktuar këtë rënie të kulmit dhe për këtë rast kemi ftuar dy profesionistë të fushës, z. Visar Geci dhe z. Gëzim Kastrati, të cilët i kam parë si neutral dhe profesionistë të cilët veprojnë jashtë komunës, në mënyrë që ta analizojnë dhe të na japin një arsye mbi rrëzimin e kulmit të ndërtesës së Komunës së re”, tha Rama.
Ndërkaq, dy ekspertët thanë se kanë ardhur në përfundim se kulmi nuk është ndërtuar bazuar në standardet e parapara me ligj.
“Komplet kulmi ka rënë sepse komplet struktura në të cilën është ndërtuar kulmi nuk është e bazuar në standarde”, tha Visar Geci, bashkë-përpilues i raportit.
“Ky është kulmi që del jashtë murit. E kanë bërë strehën për shkak që kur të bie shi, të mos rrjedh uji në fasadë. Këtu ka qenë problemi. Këtu ka hyreë fryma dhe komplet e ka çuar kulmin lartë”, tha Geci, derisa prezantoi raportin para mediave.
Rama ka thënë se Komuna e Prishtinës është e hapur për ekspertiza të tjera, përfshirë edhe atë të Prokurorisë.
“Kemi qenë tërë kohën në kontakt me Policinë dhe i kemi pyetur nëse mund të vazhdojmë me vlerësimin preliminar të gjendjes”, ka thënë Rama.
Ai e ka vlerësuar si urgjente çështjen e vlerësimit të gjendjes në kulmin e ndërtesës së re të Komunës së Prishtinës në lagjen Arbëria.
I pari i qytetit ka thënë se është iniciuar edhe përgatitja e një raporti përfundimtar nga komuna, i cili do të përfshijë më gjerësisht shkaqet e rënies së kulmit. Në këtë raport, ai ka paralajmëruar të jenë të përfshirë edhe procedurat e prokurimit dhe pranimit teknik të punës së renovimit të çatisë.
©




