
Grupi Parlamentar i PD është i vendosur për të vijuar aksionin në parlament, deri në ngritjen e komisioneve hetimore. Në përfundim të mbledhjes, ish-kryeministri Sali Berisha kërkoi mbështetjen e qytetarëve për nisjen e protestave në sheshe dhe për mosbindje civile.
“Unë ju garantoj që shkohet në mënyrë të pashmangshme në një protest të përgjithshme popullore. Si qytetarë shqiptarë janë të ftuar të ngrihen me të gjithë guximin e tyre për të përmbysur këtë regjim puçist.”
Kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi refuzon t’i vendos një emër aksionit opozitar, por për të është e rëndësishme protesta kundër qeverisë.
“Nëse ti përballë ke një regjim, sigurisht që reagimi është formë e detyrueshme në rastë të tilla. Pastaj emrin e aksionit apo veprimeve tona mund t’ja vendosim si ne të duam.”
Deputetët demokratë shprehën edhe njëherë këmbënguljen për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët.
“Kemi finalizuar kërkesën drejtuar gjykatës Kushtetuese sa i takon marrëveshjes me Italinë. Kërkesë e cila sipas procedurës kushtetuese dhe ligjore do të depozitohet ditën e nesërme pranë gjykatës Kushtetuese.”
Prej disa javësh, Berisha u ka kërkuar strukturave të partisë mobilizimin e tyre për të nisur një aksion opozitar kundër qeverisë, por ende nuk është vendosur një datë konkrete për nisjen e protestave apo të mosbindjes civile.



