
Para fillimit të takimit të sotëm të 30-të ministror të OSBE-së, kryeministri Dimitar Kovaçevski arsyetoi mos prezencën ministrave nga Ukraina, Lituania, Estonia dhe Letonia dhe më vonë nga Polonia pasi ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov mori leje për të fluturuar dhe konfirmoi praninë e tij në Shkup. Kryeministri Kovaçevski beson se Rusia nuk ka arritur fitore diplomatike me prezencën e saj në Samitin e OSBE-së.
“Kjo absolutisht nuk është një fitore diplomatike për Rusinë, kjo është fitore diplomatike e OSBE-së, duke qenë se funksionimi i OSBE-së ishte vënë në pikëpyetje. Me këtë, OSBE-ja do të vazhdojë të funksionojë dhe do të vazhdojë të jetë garantues i zhvillimit të proceseve demokratike dhe paqësore në Evropë”, tha kryeministri Kovaçevski.
Në pyetjen e gazetarëve se a do të ketë takim me Lavrovin, Kovaçevski shkurt u përgjigj se nuk do të takohen.
Secili vend, siç tha kryeministri, e shpreh qëndrimin e tij ndaj agresionit të Rusisë në mënyra të ndryshme.
Ai shtoi se pritjet e tij nga takimi i sotëm janë që vendimet e diskutuara tashmë në nivel të ambasadorëve të konfirmohen dhe se OSBE-ja do të vazhdojë të punojë me sukses.



