
Një mesazh që ka arritur sot nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës në numrat e telefonin të disa prej përdoruesve të “Valës”, ka shkaktuar shumë reagime në rrjete sociale. Për çka bëhet fjalë?
“Ministria e Drejtësisë ka ashpërsuar dënimet për veprat penale të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore.” – ky është mesazhi që ka arritur sot në disa numra të telefonit
Pra, duket se edhe mesazhi erdhi nga Ministrja e Drejtësisë.
Pse këto reagime?
Fillimisht, drejtori i Instituti të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ishte ndër të parët që reagoi në lidhje me këtë. Sipas tij, ky institucion nuk ka të autoritet e as kompetencë të ashpërsojë dënime.
“Ministria e Drejtesise as ska autoritet e as kompetence me i ashpersu denimet per vepra penale e as per dhune ne familje. Kjo eshte kompetence dhe pergjegjesi e Kuvendit te Kosoves.” – ka thënë ai.
Madje, sipas Miftarajt, Qeveria e Kosovës po bën propagandë me viktimat e dhunës në familje.
“Marre” – ka shkruar ai në fund.
Edhe zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti e ka bërë një reagim në lidhje me këtë çështje. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë përcakton shkallën e dënimeve vetëm në vende autoritare e komuniste.
“Ministria jonë e Drejtësisë, që drejtohet nga Albulena Haxhiu, po thotë se ka ashpërsuar dënimet për vepra të caktuara penale.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, avokati Ylli Zekaj ka pyetur “a me keshë, a me kajtë”.
“Ministria e Drejtesise ashperson denimet per veprat penale” a me keshe, a me kajte?!! Tash e tutje, raportoni veprat penale, ne Ministrine e Drejtesise!” – ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkaq, më herët, Ministria e Drejtësisë publikoi një video të ministres Albulena Haxhiu, e ku tha se janë marrë disa hapa në fuqizimin e legjislacionit Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore.
Ndërkohë, më herët në një raportim, “KosovaPress”, tha se vetëm në gjysmën e këtij viti, janë raportuar mbi një mijë e 800 raste të dhunës.
Madje, pjesa më e madhe, rreth 1 mijë e 500 e këtyre rasteve, kanë qenë gra.
“Sipas Policisë së Kosovë, në vitin 2021, ishin raportuar 2456 raste të dhunës në familje. Kurse, në vitin 2022, ishin raportuar 2764, ku kryesisht janë ndaj grave. Megjithatë, një numër i raste ngelet brenda katër mureve të shtëpisë. Kjo për shkak të jo efikasitetit të institucioneve në menaxhimin e këtyre lëndëve, dhe gjithashtu edhe për shkak të kërcënimeve të personave që ushtrojnë dhunë ndaj gruas.” – thuhej mes tjerash.



