
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu i është kundërpërgjigjur Ministres Albulena Haxhiu lidhur me deklaratën e saj se “duhet të mbajnë përgjegjësi personat” që vendosën Nexhat Krasniqin, i sanksionuar nga ShBA, në pozitën e u.d të Drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore pas largimit të tij nga Drejtori i Divizionit të Prokurimit në MMPHI, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ministri Aliu me tone thumbuese e falënderoi Ministren Haxhiu që “përkundër punëve të shumta në Ministrinë që drejton, kishte gjetur kohë për t’u marrë edhe me këtë rast”.
“Për ministren e Drejtësisë, deklarimin e saj, Ministria jonë, përgjegjësisht drejtësia, vuan nga drejtësia, është shumë e vërtetë, dhe sidomos pjesa e infrastrukturës vuan nga një drejtësi e mirëfilltë e gjithë sistemit teknikë. E dimë që Ministrja, e Ministria kanë tepër shumë punë në vendosjen e këtij sistemi të drejtësisë, megjithatë e falënderoj Ministren që ka gjetur kohë edhe përkundër kësaj pune me na ndihmu në këtë çështje”, tha Aliu në konferencën për media.
Ministrja Albulena Haxhiu dy ditë më parë tha se një zyrtar si Nexhat Krasniqi i sanksionuar nga SHBA, nuk duhet të jetë pjesë e institucioneve publike.
Haxhiu kishte potencuar se personat që e kishin vendosur Krasniqin në pozitën e u.d të Drejtorit të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore duhet të mbanin përgjegjësi.
“Për mua po ashtu është i papranueshëm që personat që janë në listë të zezë për dyshime në përfshirje të aferave korruptive apo në veprime të kundërligjshme të jenë në institucionet e Republikës së Kosovës e sidomos të jenë në institucione të ndjeshme që është edhe rasti në fjalë që e theksuat. Sigurisht që personat që e kanë vendosur aty mbajnë përgjegjësi”, ishte shprehur Haxhiu për Koha.net.
Për dërgimin e çështjes së Krasniqit në Komision Disiplinor ka njoftuar dje Ministri Liburn Aliu, tek pasi për avancimin në MMPHI të të sanksionuarit për korrupsion nga SHBA-ja pati reagime të mëdha nga shoqëria civile.
Nexhat Krasniqi është përfshirë në listën e zezë të SHBA’së shkaku i një afere të madhe korruptove në Kosovë, kishte njoftuar DASH më nëntor 2023.
Ai ishte drejtor i Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës deri atë ditë. Në MMPHI, po të njëjtën ditë u pezullua, porse u rikthye në punë disa ditë më vonë. Nga detyra e drejtorit të Divizionit të Prokurimit, atij iu ndërrua pozita në drejtor të Departamentit të Infrastrukturës Rrugore, që ishte më e lartë sesa pozita paraprake.
Tek dje, Komisioni Disiplinor e përjashtoi atë nga shërbimi civil, si masë disiplinore. Gazeta Online Reporteri.net e ka siguruar vendimin e Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
“Duke pasur parasysh së z. Nexhat Krasniq ka qenë i dënuar nga Gjykata kompetente si ish zyrtar i prokurorimit në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë për korrupsion, konsiderojmë se kjo çështje duhet të trajtohet edhe nga aspekti i përgjegjësisë disiplinore dhe për këtë duhet të shqiptohet masa disiplinore sepse kjo në fakt paraqet edhe shkelje të përgjegjësive dhe të detyrave të punës dhe është shkelur nënparagrafi 7 i paragrafi 4 i nenit 56, sjelle e papërshtatshme që dëmton reputacionin e shërbimit civil nga z. Nexhat Krasniqi”, thuhet në vendimin e Komisionit Disiplinor të datës 21 nëntor 2023.
Nexhat Krasniqi, i njohur si “Baba i Tenderëve” ka hyrë në listën e sanksioneve të SHBA-së me arsyetimin se është përfshirë në korrupsion të madh gjatë kohës sa ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Për rastin për të cilin është sanksionuar nga SHBA, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar Krasniqin me 26 muaj burgim efektiv. Pas ankesës në Apel, dënimi i është zvogëluar në 18 muaj burgim me kusht.




