
Shumë palestinezë të zhvendosur, përfshirë edhe disa pacientë, janë larguar nga spitali më i madh në Gazë, që është i rrethuar nga forcat izraelite, tha një zyrtar i Kombeve të Bashkuara më 13 nëntor.
Izraeli ka thënë se ka ofruar korridor të sigurt për ata që duan të largohen.
Një zyrtar i OKB-së tha të hënën se shumica e të zhvendosurve janë larguar nga spitali dhe disa familje kanë marrë me vete familjarët e tyre të plagosur. Ai tha se pacientët që kanë mbetur nuk mund të largohen pasi për ta kërkohen procedura të posaçme për evakuim, sikurse autoambulanca me pajisjet e duhura që do t’i dërgonin ata në spitalet në Egjipt. Ky zyrtar foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar që të fliste me gazetarët.
Edhe një spital tjetër në qytetin e Gazës, Al-Quds, është detyruar të mbyllet të dielën pasi i mbaruan furnizimet me karburant. Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, që operon me këtë spital, tha se forcat izraelite janë stacionuar pranë spitalit dhe po bëhen përgatitje për evakuimin e 6.000 pacientëve, mjekëve dhe personave të zhvendosur.
Zyrtarët izraelitë kanë refuzuar thirrjet për armëpushim nëse nuk lirohen pengjet e marra nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit, që nxitën luftën Izrael-Hamas./REL



