
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë të enjten se ai dhe ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Park Jin, ndajnë shqetësim të thellë për rritjen e bashkëpunimit ushtarak mes Koresë së Veriut dhe Rusisë.
SHBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia e kanë dënuar atë që besojnë se është bartje e armëve dhe pajisjeve ushtarake të Koresë së Veriut në Rusi.
Park është cituar të ketë thënë se duhet rritur thirrjet që verikoreanët të mos e lansojnë një satelit spiunimi.
Koreja e Veriut është duke u përgatitur për ta lansuar një satelit spiunimi, pasi ka dështuar dy herë këtë vit për ta ngjitur atë në orbitë.
Verikoreanët kanë thënë javën e kaluar se janë në fazat finale të përgatitjeve për lansim, pas marrjes së ndihmës teknike prej Rusisë.
Vizita dyditore e Blinkenit në Korenë e Jugut është e para e një Sekretari amerikan të Shtetit në dy vjetët e fundit dhe është realizuar në kuadër të një udhëzimi në Azi, që do të përfshijë një ndalesë edhe në Indi.
Ai ka qenë në Lindje të Mesme para se ta vizitonte Japoninë./REL



