
Kryediplomati amerikan, Antony Blinken, do të vizitojë Izraelin të premten për të shprehur solidaritetin me veprimet ushtarake kundër Hamasit në Gaza, por edhe për të ripohuar nevojën e minimizimit të viktimave civile palestineze, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të mërkurën.
“Ai do të përsërisë mbështetjen amerikane për të drejtën e Izraelit që të vetëmbrohet në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar. Do të diskutojë mbi nevojat për të marrë të gjitha masat paraprake për minimizimin e viktimave civile, si dhe punën tonë për të ofruar ndihma humanitare”, tha për shtypin zoti Miller.
Kryediplomati Blinken do të diskutojë gjithashtu edhe alternativat se kush do ta drejtojë enklavën me popullsi të dendur, nëse dhe kur Hamasi, një grup militant islamik palestinez, të mposhtet. Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha të mërkurën se Uashingtoni nuk beson se Hamasi mund të përfshihet në qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës.
Gjatë qëndrimit në Jordani, Sekretari Blinken do të theksojë rëndësinë e mbrojtjes së jetëve të civilëve dhe do të përsërisë angazhimin amerikan që palestinezët të mos zhvendosen me forcë nga Gaza, një shqetësim në rritje i botës arabe, tha zëdhënësi Miller. Ai do të vazhdojë bisedimet e udhëhequra nga Egjipti dhe Katari lidhur me lirimin e më shumë se 200 pengjeve të mbajtura nga Hamasi, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. /VOA



