
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka ngritur edhe një herë akuza të reja ndaj SHBA-së dhe Perëndimit sa i takon luftës në Lindjen e Mesme. Gjatë fjalimit të tij në një konferencë në Ankara, Erdogan tha se ata që heshtin, e bëjnë këtë sepse i kanë borxh Izraelit dhe sulmoi Komisionin për mungesën e thirrjes për armëpushim në Gaza.
“Në Gaza po ndodh një masakër brutale. U bëj thirrje të gjitha komuniteteve që na shikojnë në ekranet televizive të ndërgjegjësohen. Sot në mëngjes iu drejtova komunitetit katolik përmes Papës. Shkollat dhe spitalet bombardohen nga forcat izraelite.
Më shumë se 6 mijë persona përfshirë fëmijë dhe gra, u vranë. SHBA-ja është atje, është atje. I shohim duke vizituar zonën një nga një. Sipas shifrave të OKB-së, 600,000 persona u zhvendosën nga Gaza. Ekipet e OKB-së po planifikojnë gjithashtu të largohen nga vendi. Si në të gjitha luftërat, gratë dhe fëmijët vuajnë më shumë. Asnjë veprim, sado tronditës, nuk e justifikon një brutalitet të tillë”,-u shpreh Erdogan, raportojnë mediat e huaja.
“Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin?”
Më pas presidenti turk ju drejtua Komisionit Evropian, duke thënë: Gjëja e trishtueshme është se njerëzit e paqytetëruar që pretendojnë se janë të qytetëruar, thjesht po shikojnë. Komisioni thotë se nuk mund të bëjmë thirrje ende për armëpushim. Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin?
Na shpjegoni që të dimë se kur do të bëhet armëpushimi. Unë kam 40 vjet që jam në politikë, por asnjëherë nuk kemi qëndruar duarkryq dhe nuk i kemi parë këto mizori, siç bëni ju.Top24



