
Nuk do të ketë rritje të çmimit të cigareve. Të paktën jo deri në Vit të Ri. Këtë për Flaka e konfirmon njëri nga distrubutorët e cigareve në tregun e Maqedonisë së Veriut, ndërsa këtë informacion e ndajnë edhe shitësit me pakicë.
“Nuk e dijmë nga erdhi ky informacion. Të dhënat tona flasin që rritje të çmimit të cigareve nuk do të ketë të paktën deri në Vitin e Ri”, tha për Flaka përfaqësuesi i njërit nga kompanitë që merren me distribuimin e cigareve në Maqedoninë e Veriut.
Informacioni i njejt vjen edhe nga drejtuesit e shitoreve. Informatat e marra nga distributorët, sipas tyre, nuk flasin që do të ketë rritje të çmimeve të paktën edhe në dy muajt në vijim.
Ditë më parë, në media qarkulloi lajmi që nga e premtja që lamë pas, pritet të rritet çmimi i cigareve, purove, prodhimeve të duhanit dhe cigaret elektrike, por kjo nuk ndodhi.
Sipas informacioneve të plasuara në media, një pako e cigareve pritej të shtrenjtohej për 5 denarë. Nga shtrenjtimi i cigareve, buxheti i shtetit supozohej se do të mbushej edhe me 13 milionë euro në vit.
Kujtojmë që Maqedonia e Veriut është ndër 10 vendet e para në botë sipas përqindjes sa i përket pirjes së duhanit dhe numrit të përgjithshëm të cigareve të pira në ditë.
Përqindja e pirjes së duhanit në Maqedonin e Veriut është 48.4%. Çmimi mesatar për një pako cigare në vendin tonë është 1.7 euro ndërsa në rajonin e Evropës Juglindore është rreth 2.1 euro, ndërsa niveli evropian është 4.9 euro, dhe vendi ynë llogaritet si vendi me çmime më të ulta në rajon.



