LajmeMaqedoni

Kredi e shpejtë me të dhëna personale të vjedhura, pas kontrolleve masive të Ministrisë së Financave dënohen 5 kompani

Kreditë e shpejta të cilat po i japin disa kompani financiare po i rrjepin qytetarët me kamatat e larta. Shembull është një qytetarë i cili është ankuar te Avokati i popullit se për një kredi që ka marrë prej 30 mijë euro, duhet të kthej 60 mijë euro.

Kemi situatë, një qytetar erdhi në zyrën time, i cili për 30 mijë euro që i ka marrë, duhet të kthejë 60 mijë euro. Sipas mendimit tim, këta janë fajdexhinj të ligjshëm, gjë që është ndalur me ligj”, tha Jovan Andonovski, zëvendës i Avokatit të Popullit .

E raste të tilla ka me bollëk.

Por, përveç kësaj, këto kompani financiare po miratojnë kredi të shpejta për disa mashtrues të cilët po apikojnë me të dhëna personale të vjedhura. Mashtruesit po arrijnë me vetëm një “alo” të marrin kredi, të cilat më pas duhet të kthehen nga qytetarë të pafajshëm.

Pas ankesave të shumta te Avokati i Popullit, Ministria e Financave filloi të kontrollojë të gjitha kompanitë e regjistruara.

Avokati i Popullit është njoftuar me shkrim nga Ministria se tashmë ka dënuar 5 kompani financiare me ndalim të punës dhe se vazhdon me hetime, me fokus miratimin e kredive përmes tregtarëve – ndërmjetësve të kredisë, sepse aty janë abuzuesit më të mëdhenjtë me të dhëna personale.

Ministria e Financave është në finalizimin e Rregullores që do të ndalojë plotësisht dhënien e kredive të tilla me telefon ose me email, pa praninë fizike dhe identifikimin e aplikantit. .

Financat po hartojnë një Rregullore për rrezikun e kredisë dhe bashkë me të ndër të tjera do të ndalojnë edhe miratimin e kredive online. Do të kërkohet identifikimi i detyrueshëm i aplikantit dhe do të ndalohet ndryshimi i të dhënave personale në internet, që do të thotë se do të kërkohet prania fizike.

Mijëra qytetarë, për shkak të lehtësisë së marrjes së parave, janë zhytur deri në fyt në borxhe për shkak të këtyre kredive.

Edhe pse në reklamat e këtyre kompanive thuhet se kamata e kredisë është 0%, megjithatë nëse e vonon kredinë 7 ditë, duhet të paguash shuma marramendëse e deri në përmbarues.

Njohës të fushës së financave dhe ekonomisë shpesh bëjnë apele që qytetarët të kenë kujdes me kreditë e shpejta sepse kanë më shumë harxhime dhe shumë shpejt mund të vijnë në situatë nga e cila vështirë të dalin.

Related Articles

Back to top button
Close
Close