
Ngjarjen më të rëndë dhe më të rrezikshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë qysh nga lufta e 1999 e ka konsideruar kryeministri Edi Rama sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës të dielën e shkuar në Banjskë të Zveçanit, ku humbi jetën një efektiv dhe u plagosën 3 të tjerë.
Në një dalje të posaçme për mediat, duke shprehur shqetësimin për këtë situatë, ai ka theksuar se me BE-në nuk ishte dakord, jo vetëm me deklaratën e politikës së jashtme për marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, por edhe me reagimin e vakët të Brukselin ndaj këtij akti kriminal.
“Edhe mund të ishim dakord me këtë nëse minimalisht Serbia do të ishte distancuar nga grupi kriminal që i mori jetën efektivit të Policisë së Shtetit të Kosovës dhe do të kishte deklaruar menjëherë hapjen e një hetimi serioz dhe të pavarur, por fatkeqësisht në vend të hetimit të ngjarjes kriminale, të provokuar nga grupi kriminal serb dhe jo nga Policia e Kosovës, Republika e Serbisë zgjodhi nderimin për të vrarët nga Forcat Speciale të Kosovës duke shpallur një ditë zie kombëtare”.
Ndaj Rama i kërkoi Brukselin që ta dënojë qartësisht sulmin ndaj forcave të policisë së Kosovës.
“Çfarë kërkojmë sot është dënimi pa ekuivok i vrasjes së një efektivi të Policisë në veriun e Kosovës nga një grup kriminal dhe gjithashtu, dënimi i aktit absurd të nderimit kombëtar në Serbi të disa kriminelëve të veshur me uniforma ushtarake, jo shtetërore dhe të armatosur deri në dhembë, të cilët u shfaqën në Banjskë për një demonstrim force të paligjshme, me gjuhën e armëve të rënda dhe u asgjësuan nga mbrojtësit e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Vendimin e Serbisë për të nderuar kriminelët e vrarë nga policia e cilësoi të papranueshëm për vlerat demokratike që përfaqëson BE ku ky vend synon të anëtarësohet.
“Ky është një karshillëk sa ilegal nga ana e grupit kriminal aq edhe institucional nga ana e shtetit serb ndaj vlerave dhe parimeve të BE që nuk ka nevojë për hetim, por kërkon dënim me zë të lartë dhe me gjuhë të qartë”.
Që ngjarje të tilla të mos përsëriten më dhe që Kosova dhe Serbia të zgjidhin përfundimisht mosmarrëveshjet e tyre, Rama kërkoi edhe një herë që dialogu i ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët të ngrihet në një nivel tjetër.
“Përfaqësimi i BE dhe i komunitetit euroatlantik në dialog, duhej ngritur dhe ai në nivelin më të lartë me Francën dhe Gjermaninë në konferencë në nivelin e Presidentit dhe të Kancelarit, si bashkëautore të këtij plani. Sot besoj që është e qartë për të gjithë, që minimalisht formati i derisotëm i Brukselit, ku “venë e vijnë” dy burra nga këtej dhe “hyjnë e dalin” dy burra atje, nuk ka më asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re”.
Këtij hapi sipas Ramës duhet ti paraprijë ndërkohë edhe një tjetër masë siç është ajo që forcat e NATO-s të marrin nën kontroll të plotë kufirin mes dy vendeve.Top24



