
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se vrasja sotme e Afrim Bunjakut, rreshter i Policisë së Kosovës nuk mund të konsiderohet e rastësishme dhe as si ndeshje me grupe kriminale, por është një goditje e qëllimshme kundër pavarësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, ky është një paralajmërim se lufta speciale e Serbisë kundër Kosovës tash po hynë në një fazë të re, raporton Klan Kosova.
“Të mbështetur, si gjithmonë gjer më tani, këto grupe kriminale duan goditje të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës. Destabilizimi i Kosovës dhe pengimi i zhvillimit të saj “deri në dështim” janë qëllimi”, ka shkruar ai në Facebook.
“Loja e rrezikshme të cilën Serbia po e luan, sigurisht se është edhe përtej këtij qëllimi. Ndërlidhja e saj me zhvillimet e tjera të rajonit, si ato në Bosnje janë vetëm një tregues se ajo i nxitë dhe i do krizat si mjet mbijetese. Është momenti i fundit që të kuptohen këto ogure që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë Fatmir Sejdiu.



