
Riformatimi i qeverisë së Tiranës nuk është i papritur. Kryeministri Rama e kishte paralajmëruar atë pak javë më parë, kur shkarkoi të gjithë kupolën drejtuese të PS, kryetar i së cilës ai është që nga viti 2005. Ndryshimet në qeverinë shqiptare vijnë kur në këto 2 vite të para të mandatit të tretë qeverisës, PS po i plasin skandale korrupsioni njëri pas tjetrit. Struktura e Posa?me Anti-Korrupsion, (SPAK) po heton ministra, ish-ministra dhe zyrtarë të lartë socialistë ndërkohë që një duzinë prej tyre janë në arrest me burg për korrupsion.
Ish zëvendës kryeministri, Arben Ahmetaj, i shkarkuar nga kryeministri Rama vitin e kaluar, u arratis para dy muajsh dhe tani është në kërkim ndërkombëtar. SPAK e akuzon atë për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe ka për atë një mandat arresti.
Kryeministri Rama u shpreh në Asamblenë e PS, që i parapriu paraqitjes të hënën të riformatimit të qeverisë se “nuk do të mbrojë asnjë pushtetar që do të përballet me drejtësinë.”



