
Maqedonia e Veriut po kalon një prej periudhave më të vështira që prej vitit 2001, thotë kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ai shpreson që opozita maqedonase do t’i votojë ndryshimet kushtetuese, derisa thekson se partitë shqiptare atje janë të gatshme për kompromise vetëm që të mos bllokohet rruga evropiane e shtetit.
Procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut rrezikon të bllokohet nëse komuniteti bullgar nuk përfshihet në preambulën e kushtetutës së vendit, kusht ky për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian, pas procesit të skriningut që përfundon në vjeshtë.
“Në Maqedoni është një kohë relativisht e vështirë me shumë mjegulla para nesh, me plot paqartësi, mund të them se një prej periudhave më të vështira të shtetit pas pavarësimit, nëse e tërheqim periudhën e vitit 2001 kur ishte lufta”, thotë Arben Taravari. Top24



