
Mungesa e titullit kampion për dy vite me rradhë dhe eliminimi i fundit shumë herët nga Europa kanë sjellë krizë në taborin e Shkëndijës së Tetovës. Në opinion flitet për largime nga pozitat të rëndësishme të pjesës sportive si Harun Isa, Skender Jonuzi dhe Ibraim Osmani, ndërsa faqe të ndryshme në rrjetet sociale sjellin informacione nga më të ndryshmet në lidhje me të ardhmen e klubit. Nuk mungojnë edhe shkrimet në media për situatën e Shkëndijës dhe lajmi që disa ditë ka qarkulluar me të madhe është ai për rikthimin eventual të Visar Bexhetit në krye të klubit. A është gati Ecolog t’ia ribesojë klubin presidentit më të suksesshëm në historinë e kuqezinjëve? Visar Bexheti ishte në krye të Shkëndijës në periudhën më të suksesshme të klubit tetovarë. Nën udhëheqjen e tij kuqezinjtë fituan titullin kampion dy herë rresht, në sezonin 2017/2018 për herë të parë në histori morën edhe kampionatin edhe Kupën, ndërsa dy herë luajtën në play off për hyrje në grupet e Evropa Ligës duke u ndeshur me ekipe si Milan, Red Bull Salzburg, Sherif Tiraspol dhe Rosenborg. Mbetet të shihet nëse informacionet që dalin në opinion do të jenë të sakta dhe nëse drejtuesit e klubit do të vendosin që kthimin e klubit në rrugën e suksesit ta kërkojnë me presidentin që drejtoi kuqezinjtë në periudhën më të suksesshme të klubit.





